Fjalët për kryengritje ishin kot, por e ardhmja mbetet në ajër. Pol Pogba iu përgjigj thirrjes së Mançester Junajtidit, për t’u paraqitur në grumbullim sipas afatit, dhe për të udhëtuar për turneun përgatitor të verës. Avioni me skuadrën e shquar angleze bëri rrugën e gjatë nga Mançesteri deri në Australi, duke zbritur yjet në aeroportin e Perthit, ku ata i prisnin tifozë të shumtë.
Pogba, padyshim ishte në qendër të vëmendjes, veçse mund të ndodhë që shumë shpejt fanela e tij e Junajtidit të bëhet e pavlefshme. E ardhmja e yllit francez vazhdon të jetë e paracaktuar për në Spanjë ose Itali. Trajneri Ole Gunar Solskjer do të ulet e të bisedojë me mesfushorin për ta bindur që të qendrojë, duke i ofruar edhe shiritin e kapitenit, ndërsa klubi mund t’i japë një kontratë të re.
Gjithsesi, agjenti i tij, Mino Raiola, deklaroi së fundmi se vullneti i lojtarit është për t’u larguar, diçka që e ka theksuar edhe vetë Pogba. Kampioni 26-vjeçar i botës ishte në Nju Jork, përpara se të bashkohej me skuadrën, i rrethuar nga interesim i madh i tifozëve, si dhe duke u stërvitur individualisht për të mos humbur formën.
Reali i Madridit mbetet pretendenti kryesor për ta marrë, i bindur që Pogba do ta refuzojë Juventusin. Edhe klubi i presidentit Florentino Perez dhe i trajnerit Zidan do ta ketë të vështirë të paguajë aq sa kërkon Junajtidi, 150 milionë paundë stërlina, apo rreth 170 milionë euro, dhe do të përpiqet të largojë lojtarë, pas shpenzimeve të bëra për transferimet.
Tek Juventusi shpresa mbetet, dhe trajneri i ri Mauricio Sarri do të bëjë maksimumin për francezin. Vetë Junajtidi mendohet ta mbushë boshësinë e lënë nga Pogbaja, me lojtarë të tillë si Milinkoviç Saviç, ndërsa ka marrë Saul Nigezin nga Atletiko e Madridit.
Sfidanti.al