Refuzoi të bëjë testin e alkoolit, Marselos i hiqet patenta

Marselo ndodhet në Rio De Zhaneiro së bashku me familjen e tij për të kaluar pushimet duke qenë se trajneri Tite nuk e grumbulloi me përfaqësuesen për të marrë pjesë në Copa America. Dhe duket se mbrojtësi i majtë i Realit të Madridit po e shijon në maksimum këtë periudhë pushimesh gjë që e tregojnë edhe postimet e tij në rrjetet sociale.

Por në mbrëmjen e së hënës ai pati një problem jo të vogël në rrugët e Rio De Zhaneiros kur u ndalua nga policia për të kryer testin e kontrollit të nivelit të alkoolit të konsumuar. Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja ‘O Globo’ sipas së cilës Marselo refuzoi të kryejë këtë test duke preferuar që të paguajë një gjobë prej 2934 realë ose 675 Euro, ndërkohë që atij iu hoq e patenta për 1 vit, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe ai nuk do të mund të drejtojë makinën kur të jetë në Brazil

Kjo nuk eshtë hera e parë që Marselo ka probleme me autoritetet në lidhje me qarkullimin rrugor. Në vitin 2013, ai u ndalua nga policia në Madrid pasi drejtonte makinën me patentën pa pikë

sfidanti.al