Duhet ta shfrytëzojë kohën e paktë që i ka mbetur. Serena Uilliams duhet të përqëndrohet më shumë se 100 për qind, për të thyer rekordet që i mbeten pa rrëzuar, përpara sesa të mbyllë karrierën e saj të lavdishme. Tenistja amerikane e bëri siç duhet detyrën e saj në raundin e parë të Uimbëlldonit, duke mposhtur italianen Gato-Montikone 2-0 me sete, por është e qartë se prej saj do të kërkohet shumë më tepër.
Në moshën 37-vjeçare, Serena synon rekordin absolut të Grand Slemeve të fituar, mbajtur për momentin nga legjenda Margaret Këurt. Motrës së vogël Uilliams i duhet vetëm një Grand Slem që të barazojë shifrën 24 të australianes, dhe ndoshta këtë mund ta bëjë në Londër. Jo më kot, ajo e ka fituar 7 herë Uimbëlldonin, po aq sa Australian Openin. Ndaj Gato-Montikones rezultati i seteve ishte 6-2 e 7-5, me Serenën që vuajti pak në të dytin.
Një tjetër legjendë synon rekordet në barin londinez. Rafael Nadal kaloi fare thjesht japonezin Juiçi Sugita, duke e mundur 3-0 me sete, e duke krijuar duelin me problematikun Nik Qirios. Spanjolli triumfoi 6-3, 6-1 e 6-3 dhe padyshim është një nga pretendentët për Çmimin e Madh.
Në moshën 33-vjeçare ai ka 18 Grand Sleme, ndaj 20 të Rozher Federerit, ndaj edhe tek meshkujt ka një garë të fortë ashtu si edhe tek femrat. Sipas yllit të dikurshëm të tenisit, Mats Vilander, shumëçka për Nadalin do të varet nga koha, nëse do të jetë nxehtë dhe pa reshje, ai mund t’ia dalë.
Sfidanti.al