Një lajm i bujshëm trazon merkaton e transferimeve në NBA. Sipas asaj që publikohet në median amerikane, Kevin Durant, basketbollisti ‘free agent’ më i kërkuar në kampionatin më spektakolar të basketbollit në botë, do të largohet nga Golden Stejt pas 3 sezonesh dhe 2 titujve të fituar për të luajtur me Bruklin Nets me të cilin do të firmosë një kontratë 4 vjecare prej 164 milionë Dollarësh.
Në këtë mënyrë, Durant do të bashkohet te skuadra e Nets me Kajri Irving, por historia nuk mbaron këtu. Te Bruklin pritet të shkojë edhe DeAndre Xhordan që është shumë mik me Kevin Durant.
Orët e fundit u fol se Kevin Durant ishte në shënjestrën e Nju Jork Niks me këtë të fundit që dukej se nuk e kishte aspak problem faktin që Durant do të qëndrojë jashtë parketit gjatë gjithë sezonit të ardhshëm për shkak të një dëmtimi në tendinën e Akilit.
Por duket se kjo nuk ishte një problem as për Bruklin Nets që pas Irving siguroi edhe shërbimin e një tjetër ylli të NBA.
sfidanti.al