Tek Juventusi nuk bëjnë shaka, Kean e ke futur veten në telashe

Disiplina është kushti i parë për suksesin, dhe skuadra vjen mbi cilindo individ. Juventusi është ndërtuar pikërisht mbi një filozofi të tillë, diçka që dikur avokati Xhani Anjeli ia tregoi superyllit Omar Sivori, dhe që sot një nip i tij, Andrea Anjeli, mund t’ia tregojë një “xhevahiri” të së ardhmes si Moize Kean. Ekziston mundësia që sulmuesi i ri të “internohet” për “riedukim” nga kampionët e Italisë, pas “numrave” që bëri në ekipin Shpresa.

Kean dhe Zaniolo u dënuan nga trajneri i Italisë U21, Di Biaxho, sepse shkelën orarin e stërvitjes, dhe për juventinin e ri nuk ishte hera e parë që bënte gjëra të tillë. Manovra e klubit, sipas mediave, është e menjëhershme dhe planifikohet që Kean të “postohet” për tek Ajaksi, ndërsa në Torino do të vijë Matijs De Ligt.

Në këtë mënyrë sigurohet një lehtësim financiar në transferimin e kapitenit 19-vjeçar të holandezëve, dhe në krahun tjetër i jepet një mësim të mirë Keanit dhe kujtdo tjetër që suksesi arrihet lehtë, dhe që rregullat mund të shkelen. Edhe De Ligt, edhe Kean, kanë të njëjtin menaxher, Mino Raiolën, ndërsa kartoni i qendërmbrojtësit vlerësohet në 70 milionë euro.

Sfidanti.al