Nejmar, kur e paske nënshkruar kontratën 5-vjeçare me Barçën?!

“Sa të thella paskan qenë këto punë”, thoshte i paharruari Roland Trebicka, në rolin e Jovan Bregut, te komedia “Pallati 176”. “Sa të fshehta paskan qenë këto punë”, mund të thonë tifozët sot, kur mediat zbulojnë se Nejmar ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me Barcelonën. Nëse lajmi është i vërtetë, flitet për një kërcim të madh në krahasim me momentin kur braziliani thjesht kishte shprehur dëshirën për t’u larguar nga Paris SG.

Nuk dihet se çfarë mund të mendojë presidenti i PSG-së, Naser Al Helaifi, por me siguri ai duhet të jetë i informuar, nëse historia “rrjedh kështu”, ndryshe do të ishte një skandal dhe do të kishte gjyqe në FIFA. Gazeta katalanase “Sport” njofton se presidenti i Barçës, Bartomeu i bëri një propozim dhe me Nejmarin u arrit një mirëkuptim gojor. Kaq i dëshiruar është sulmuesi për t’u kthyer “në shtëpi”, saqë është gati të pranojë edhe gjysmën e rrogës që merr në Paris, ndoshta rreth 18 milionë euro në sezon.

Gjithsesi, edhe nëse ka një akord verbal mes palëve, kjo mund të quhet pjesa më e lehtë e transferimit, pasi Paris SG nuk do të lejojë që Nejmar të largohet pa fituar të paktën 222 milionë eurot që pagoi për të dy vjet më parë. Madje, francezët kanë vendosur një çmim për kartonin e tij, që jozyrtarisht thuhet se është 300 milionë euro.

Sfidanti.al