Prezantimi pritet të bëhet nesër, por gjithçka duket e përfunduar. Frenk Lampardit iu hap “drita jeshile” për t’u bërë trajner i Çelsit, pasi bosi i klubit, Roman Abramoviç, më në fund qenka bindur. Miliarderi rus, padyshim që është konsultuar me njeriun e tij të besuar, Marina Granovskaia, derisa e ka ndarë mendjen për “Po”. Derbi Kaunti e bëri zyrtar këtë lajm, pasi njoftoi në faqen e tij në Tuiter, se i ka dhënë leje Çelsit që të bisedojë me Lampardin, që ishte trajner i tij sezonin që u mbyll.
Ish-mesfushori 41-vjeçar është një legjendë në “Stemford Brixh” dhe po pritet me padurim, siç ndodhi me Pep Guardiolën tek Barcelona apo Zinedin Zidanin tek Reali. Blutë e Londrës do të paguajnë 4 milionë paundë stërlina, apo rreth 4.5 milionë euro për të siguruar kartonin e trajnerit. Derbi dhe Çelsi duan ta zgjidhin shpejt çështjen e trajnerit, për shkak se po afron faza përgatitore, dhe shpejt nis sezoni i ardhshëm.
Sfidanti.al