Italianët njihen si ndër njerëzit me më tepër shije në botë për stilin e veshjes, dhe kjo u përforcua nga mjeku i kombëtares së futbollit të femrave të Italisë, në ndeshjen e Botërorit ndaj Brazilit. Mjeku, emri i të cilit nuk jepet nga mediat ndërkombëtare, hyri në fushë me kostum Armani dhe këpucë atletike të markës “Puma King”, duke ndihmuar një lojtare të dëmtuar, Valentina Çernojën, në minutën e pestë shtesë.
Kjo veshje ngjan me atë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që shpesh vesh kostum dhe atlete, ndërsa herë të tjera arrin të veshë edhe “brekushe” në vend të pantallonave të kostumit, duke mbajtur sërish atlete. Kostumet Armani dhe atletet Puma duket se janë sponsor të kombëtares së femrave të Italisë, pasi i mbante veshur edhe një pjesëtar tjetër i stafit mjekësor të të kaltërve. Jehona në rrjetet sociale për veshjen e mjekut italian ishte e madhe, dhe vlerësimi i lartë. Për fat të keq, Italia e humbi ndeshjen 0-1 me Brazilin, ndonëse fitoi “ndeshjen e modës”.
Sfidanti.al