Sipas anektodës që tregohet për stadiumin e ri, sa herë që vijnë misionarë nga UEFA për të gjurmuar punimet, shefat tanë i ngjisin tek “Kulla Ejfel“ e stadiumit, si për të treguar edhe më qartë madhështinë e impiantit. Në fakt, nuk është kjo arsyeja me të cilën marrin ashensorin , sepse vetëm duke ngjitur kullën..nuk e shikon dot kullën! Çfarë do të thotë kjo? Në Paris, në kohën kur po ndërtohej kulla e famshme, një nga shkrimarët më të fuqishëm të kohës, Mopasan, u shpall luftëtari më i madh kundër ndërtimit të saj. Shkrimet e tij dukej sikur tundnin themelet e Ejfelit, por, prapëseprapë, gjidandi prej hekuri e puthi qiellin. Një ditë, kur shkrimtarin e madh e panë duke pirë kafe në majë të kullës, e pyetën se me cilën moral e shijon kafen në këtë lartësi të ..mallkuar. Përgjigja e tij mbetet e freskët në çdo kohë: „Vetëm po të jesh mbi kullë.. nuk e shikon kullën“
Edhe çunat e UEFA-s, sapo ngjiten në majën e stadiumit tonë, harrojnë ku janë, flasin për çdo detaj , madje na japin zemër se nëse nuk do të jetë ky shtator muaji i bekuar i inagurimit , do të gjëndet një muaj tjetër për të bërë festën e tifozëve, për të cilët përgjërohen se do të bëhen me shtëpi moderne. Një shtëpi ndryshe, ku i “zoti“ do të paguajë edhe qimet për biletën , edhe më shtrenjtë se tek shtëpia periferike me emrin “Elbasan Arena“. Edhe këta specialistët e fundit që dërgoi UEFA, si për koiçidencë nga Sërbia, me të cilët na ndau droni dhe po na bashkon betoni , u mrekulluan me marifetin tonë arkitektonik, që tregon më së miri se një futboll ndryshe nga të tjerët, meriton dhe një stadium ndryshe. Një stadium që sipas teorisë së “shkencëtarëve“ të FSHF-së, të cilët po lodhen duke justifikuar shpenzimet dhe vonesën e bujshme , edhe pse akoma nuk po i gjëndët çmimi final, një gjë dihet , madje shkakton krenari : është stadiumi më i gjatë në Ballkan ! Si një simbolikë, ku futbolli tregon damkën e servilizmit ndaj politikës. Dhe si çdo e keqe që ka një mirë, më në fund, kuqezinjtë e Kombëtares, kur të kenë nevojë për të lëshuar shqiponjën , siç ndodhi vite më parë, nuk do të marrim më kulla me qira rreth stadiumit, pasi kjo e jona është më e bukur !
G.Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport