Alonso goditje e dyfishtë; fitoi sërish 24 Ore te Le Mans dhe titull botëror në WEC

Shpërthen festa e madhe për Fernando Alonson në Le Mans. Piloti spanjoll përsëriti suksesin e tij në garën e 24 Orë të Le Mansi, sërish me skuadrën Toyota TS050 Hybrid bashkë me Buemi dhe Nakazhima. Ishte një fitore e vuajtur dhe thuajse e papritur pasi erdhi vetëm në fillimin e orës së fundit të kompeticionit.

Në këtë moment, makina Toyota me numrin 7 e Lopez, Konuej dhe Kobajashit shfaqi probleme teknike duke e braktisur vendin e parë të cilin e administroi mjaft mirë për 23 orë me 3 pilotët që në fund u detyruan të kënaqen me vendin e dytë. Vendin e tretë në këtë garë e zuri skuadra SMP Racing me pilotë Vandorn, Petrov e Aleshin.

Kjo fitore ishte vërtet me fat për Alonson që e mbylli kështu në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij me Tojotan në garat endurance. Suksesit të 24 Orë të Le Mansit për Fernando Alonson i shtohet edhe titulli botëror në WEC që nuk bëjnë gjë tjetër vecse e pasurojnë akoma më shumë kurrikulumin e spanjollit që ka edhe 2 tituj Botërorë në Formula 1.

sfidanti.al