Ylli anglez i muzikës, Sting, ka një këngë të quajtur “Një anglez në Nju Jork” (An Englishman in New York), por Tajson Fjuri, boksieri i shquar anglez këndoi këngën e tij, me një titull të përafërt, “Një anglez në Las Vegas”. Ish-kampioni i botës në peshat e rënda i fitoi tifozët amerikanë, në debutimin e tij në “Qytetin e Mëkatit”, me stilin e tij të pakrahasueshëm të spektakolarit, apo të njeriut që prin shfaqjen (showman).
Fjuri hyri në Arenë, sipas skenarit të filmit “Roki IV”, duke imituar heroin Apollo Krid, i veshur me mbathje si flamuri amerikan, po ashtu ishte edhe kapelja tipike amerikane dhe “xhybja” me shiritat bardhekuq, dhe me yjet e bardhë në fushën blu. Dorezat e bokst, gjithashtu, nuk dilnin jashtë skenarit, ndërsa “Xhipsi King” (Gypsie King) parakaloi drejt ringut nën ritmin e këngës së Xhejms Braunit, “Jetoj në Amerikë” (Living in America).
Ky ishte spektakli amerikan i kampionit anglez në debutimin e tij në Las Vegas, pasi debutoi me barazim në Los Anxhelos, në duelin për titujt botërorë ndaj Diontej Uajlderit. Fjuri u ndesh me gjermanin Tom Shvarc dhe fitoi në dy raunde, një ndeshje që ai e dominoi me shpejtësinë e këmbëve dhe krahëve, me stilin e tij “fluturues”, që të kujton Muhamed Aliun. Tani pritet dueli i dytë për titujt ndaj Uajlderit, që me shumë gjasë do të jetë në fund të vitit, ose në tremujorin e parë të 2020-ës.
Sfidanti.al