Braziliani Nejmar nuk është më futbollisti më i dëshiruar në botë. Më 2017, ai bëri një transferim spektakolar me vlerë prej 222 milionë eurosh nga Barcelona për te PSZH-ja, por në këtë klub francez ai nuk arriti që ta ruajë atë nivel loje që kishte në klubin katalonjas. Sipas vlerësimeve më të fundit të “observatorit futbollistik”, vlera e tij tani ka rënë 70 milionë euro.
Nejmari ka qenë në formacionin e parë të PSZH-së gjatë këtij sezoni në vetëm 16 ndeshje të kampionatit francez, kurse një kohë të gjatë ai ka qenë i dëmtuar, ndërkohë që atë e ndjekin nga mbrapa edhe skandalet e shkaktuar nga ai jashtë fushës së lojës.
Në këto kushte, vlera e tanishme e Nejmarit është 150 milionë euro. Sidoqoftë, PSZH-ja nuk ka në plan që ta shesë atë, ndërsa trajneri Tomas Tuhel e konsideron futbollistin brazilian si një kartë të fortë në sezonin e ardhshëm, sidomos, në Ligën e Kampioneve.