Pjesëtarët e përfaqësueses turke, mbas fitores së merituar 2-0 kundër Francës kampione të botës, shkuan të mbushur me eufori në Rejkjavik për ndeshjen e radhës të grupit kundër Islandës, por atje ata papritur u pritën në mënyrën më të keqe të mundshme.
I gjithë delegacioni turk kaloi më shumë se tre orë në aeroportin e Rejkjavikut, për shkak të “kontrollit special të sigurisë”, ndërkohë që gazetarët islandezë i poshtëruan ose i ofenduan futbollistët turq, saqë njëri nga ata, për t’i marrë intervistë futbollistit Emre Belozoglu, në vend të mikrofonit i zgjati një furçë pastrimi WC-je!
“Ky është një turp i madh. Ne udhëtuam gjashtë orë e gjysmë dhe neve na mbajtën në aeroport edhe tre orë të tjera. Ata na i hapën disa herë çantat tona. Kjo ishte një paturpësi e madhe”, deklaroi kapiteni Burak Jilmaz.
Ministria e Jashtme e Turqisë i dërgoi një notë proteste Islandës për një qëndrim të tillë dhe “lojrat e pista” në prag të ndeshjes kualifikuese mes Islandës dhe Turqisë.
Sfidanti.al