Kush nuk e kujton kombëtaren shqiptare të pranverës 2016! Një grup i tillë futbollistësh që “përlesheshin” për një vend në formacion, aq sa Xhani De Biazi u detyrua të largonte nga hoteli në Austri, ndërsa bënte përgatitje për finalet e Euro 2016-ës, plot 4 lojtarë, njëri më i mirë se tjetri, Milot Rashicën, Amir Rrahmanin, Herolind Shalën e Berat Gjimshitin.
Nga ata të katër, 3 luajnë për Kosovën, ndërsa vetëm Gjimshiti vazhdon me Shqipërinë. Pikërisht Kosova duket se i shteroi “burimin” e vetëm me vlerë që pati kombëtarja shqiptare, pra lojtarët me origjinë nga Kosova që janë formuar jashtë vendit. Kjo është arsyeja që sot shqiptarët e Kosovës me plot të drejtë pretendojnë për të shkuar në finalet e Euro 2020-ës (pasi e kanë mundësinë edhe nëpërmjet plej ofit të Ligës së Kombeve, ku dolën fitues në grup), ndërsa Shqipëria është në fazë reanimacioni me shpresë që ta shpëtojë “doktori i lashtë” Edi Reja.
Te Kosova luajnë futbollistë të Mançester Sitit, Verderit, Dinamos së Zagrebit, Hadërsfildit, Suonsit, Rizesporit, Bazelin (huazim nga Genti) apo kudo tjetër. Konkurrenca është e fortë aq sa Herolind Shala nuk është grumbulluar kohët e fundit. Jo vetëm kaq, por edhe në sistemin zinxhir të Kosovës, pavarësisht izolimit dhe problemeve, kanë dalë lojtarë shumë të mirë, të tillë si Milot Rashica, madje edhe portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha.
Në të kundërt, kombëtarja me bazë në Tiranë, pavarësisht se ka edhe dy lojtarë për çdo rol, siç u shpreh Reja në konferencën e djeshme për shtyp, nuk mund të prezantojë atë nivel cilësie të Kosovës. Me kalimin e viteve, gjithnjë e më pak shqiptarë me origjinë nga Kosova, të lindur në Europë, do të pranojnë Shqipërinë, madje ndoshta edhe vetë Kosova mund të mos i ketë me shumicë. Kjo do të thotë se kombëtarja jonë do të vuajë derisa Superliga t’i ngjajë sadopak asaj të viteve 60-80-të, dhe klubet t’i ngjajnë Tiranës, Partizanit, Dinamos, Vllaznisë apo Flamurtarit të atëhershëm.
Sfidanti.al