Shtatë lojtarë të Realit të Valadolidit janë “blerë” që ta humbnin ndeshjen e fundit të sezonit kundër Valencias, shkruan gazeta “El Mundo Deportivo”, duke zbuluar zhvillimin e operacionit “Operacioni Oikos” që po zhvillon policia spanjolle lidhur me fiksimin paraprak të disa ndeshjeve të kampionatit spanjoll.
“Shtatë lojtarë të Valadolidit janë blerë”, thotë në një bisedë telefonike të përgjuar me dikë tjetër futbollisti tani i pensionuar, Karlos Aranda, duke shtuar: “Fut 10 000 dhe do të fitosh 20 000. Shiko, vëlla, ta them unë me siguri, Valencia do ta fitojë edhe pjesën e parë dhe edhe pjesën e dytë. Vetëm ki shumë kujdes, mos i thuaj askujt, as miqve të tu”.
Javën e kaluar, televizioni spanjoll “Antena-3” bënte të ditur se policia po hetonte fitoren 2-0 të Valencias kundër Valadolidit që bëri të mundur kualifikimin e saj në Ligën e ardhshme të Kampioneve, ndërkohë që Valadolidi nuk kishte rrezik që të binte nga kategoria, duke qenë se kishte mundur një raund më parë Rajo Valekanon.
“El Mundo Deportivo” ngul këmbë se nuk ka asnjë dyshim se Valencia dhe Valadolidi janë përfshirë në fiksimin paraprak të rezultatit të ndeshjes në fjalë dhe se bëhet fjalë për një “deal” (marrëveshje) mes futbollistëve. Po ashtu, sipas gazetës, po hetohen edhe fitorja 6-2 e Valencias kundër Hueskës dhe fitorja e Real Betisit kundër Hueskës, për shkak të aktivitetit intensiv në qendrat e basteve para dhe gjatë zhvillimit të ndeshjeve të mësipërme.
Sfidanti.al