Ardi Mema e fitoi bastin e tij, madje e kaloi orbitën e Mema-ve!

Kur u shfaq Ardi Mema tek Tirana, ata që nuk besonin tek aftësitë e tij ishin më të shumtë se ata që besonin tek zotësia e tij në një klub me themele të  tronditura. Madje thuhej se për Tiranën e trazuar nga shumë halle, një “autoshkollë” si Ardi Mema  nuk  jepte siguri jete për bardheblutë.  Tani , kur kampionati ka mbaruar dhe Tirana ka shpëtuar nderin, por jo nga hallet,   nuk thuhet me zë të lartë se Ardi Mema e ka fituar bastin e tij. Madje ka shkuar më larg se orbita tradicionale  e Mema-ve,  kur kujton deklaratat e tij të forta dhe gjestin e “papëlqyeshëm” në epilog.  Mema, një ditë plot zemërim,më shumë për faj të sistemit sesa të vetëpërmbajtjes së tij  , ka lëshur deklaratën që prishi edhe humorin e pronarëve të lojës : “ Nuk e duan Tiranën sepse kanë rënë në dashuri me provincat..”

Askush më parë, as edhe nga rebelët në media, do të ishte marrëzi e kulluar po ta mendoje dike nga raca e trajnerëve, s’kishte guxuar që t’u flakërinte fytyrës një shuplakë të tillë atyre që qëndrojnë në prapaskenën e tribunave. Mema u qortua për racizëm me këtë rast, por askush nuk e akuzoi dot për një të pavërtetë  pompoze.  Thanë me frikë se Ardi guxoi shumë, por nuk e dinin se në ditën e fundit të lojës, atëhere kur u luajt ndeshja finale e Kupës, Mema do të shkonte më tej, do të rebelonte më shumë me vepra, sesa me fjalë. Braktisi gjithshka pas ndeshjes, duke shpërfillur ceremoninë e fituesit, por edhe të humbësit. Në këto momente, po kërkon falje, pasi ka qënë i nxehur, por ata që i lexojnë ndeshjet, dhe nuk mjaftohen vetëm me të parë, e dinë mirë, madje janë të bindur, se arratisja e tij ishte një protestë për ata që kurdisin orët e fatit ndër sezone…

Sfidanti.al