Klop ndihet fitues, Poçetino synon të shkruajë historinë

Gjashtë finale të humbura radhazi mund të të venë epitetin e humbësit, por ndoshta vetëm Zhoze Murinjo mund ta thotë se Jurgen Klopi është i tillë. Strategu i futbollit më spektakolar në botë (së bashku me Pep Guardiolën) është në finalen e tij të 7-të, dhe presioni për të fituar më në fund, është tepër i madh. Gjermani ka humbur 3 finale me Liverpulin dhe 3 të tjera me Borusian e Dortmundit, ku spikasin më shumë ndeshjet fundore të Championsit në 2013 dhe 2018.

“Unë nuk jam një humbës, – shprehet trajneri i Liverpulit, – mos mendoni vallë se e gjithë karriera ime ka qenë pa fat? Jo e gjitha ka qenë e tillë, dhe dështimet thjesht më shtyjnë që të arrij suksesin”. “Që nga viti 2012 e deri më sot, me përjashtim të 2012-ës, skuadrat e mia kanë qenë në finale, – vazhdoi Klopi, – ndodhi që patëm edhe fat. Jam rekordmeni botëror për fitoret e gjysmëfinaleve në 7 vitet e fundit, por nëse do të shkruaja një libër për to, nuk do të ma lexonte kush”. Si përfundim, Jurgen Klopi thotë se “kemi mjaft përvojë tani dhe duam që të fitojmë”.

Mauricio Poçetino nuk është ndonjë “humbës profesionist” i tillë, ndonëse detyra e tij mbetet tepër e vështirë. Totenhemi nuk është Liverpuli kur vjen puna tek historia, dhe atij i duhet të tejkalojë çdo parashikim. “Ne duam të shkruajmë historinë, – thotë trajneri argjentinas, – ky është momenti ynë dhe duhet të mos e lëmë të shkojë kot. E dimë shumë mirë se çfarë duhet të bëjmë”.

Totenhemi nuk pati përforcime këtë vit, ndërsa në janar humbi Musa Dembelenë që shkoi në Kinë. Po ashtu, skuadra londineze nuk luajti në stadiumin e saj thuajse gjatë gjithë sezonit, por të gjitha këto vështirësi e bënë edhe më të fortë. Nëse Liverpuli eleminoi Bajernin dhe Barceonën, londinezët kaluan Dortmundin, Mançester Sitin dhe Ajaksin, që nga ana e tij kishte eleminuar Realin dhe Juventusin.

Bilanci mes Klopit dhe Poçetinos është në favor të gjermanit, me 4 fitore, 4 barazime dhe 1 humbje. Përsa i përket lajmeve nga skuadrat, Harri Kejn është në dyshim për Spërsat, ndërsa Firmino është gati për të kuqtë, me Nabi Keitën që nuk luan.

Sfidanti.al