Ishte favorit dhe e respektoi parashikimin, madje ç’të respektuar. Liga e Europës i takoi Çelsit që triumfoi bindshëm në finalen 100 për qind angleze në stadiumin “Olimpik” të Bakusë ndaj Arsenalit. Përfundoi 4-1 ndeshja në Azerbajxhan, ku blutë e Londrës i bënë një dhuratë vetes dhe trajnerit të tyre Mauricio Sarri. Eden Hazar, edhe një herë tjetër më i miri në fushë, (me gjasë) i dha lamtumirën skuadrës dhe tifozëve me një dygolësh, një ndarje e shkëlqyer dhe dëshpëruese në këmbët e Maleve Kaukaze, në kufirin me Europës dhe Azisë.
Arsenali duhet të mendojë se i takon të ardhmes. Djemtë e tij të talentuar, disa të rinj e disa me më shumë përvojë, nuk ishin aq bindës përballë yjeve të Çelsit, pasi skuadra e Sarrit kishte në formacion Azpilikuetën, David Luizin, Kantenë, Zhorzhinjon, Kovaçiçin, Pedron, Zhirunë dhe Hazarin, si dhe më pas Uillianin, ndërsa në stol njerëz të tillë si Higuainin apo Alonson.
Olivie Zhiru kaloi blutë në epërsi në minutën e 49-të, Pedro dyfishoi shifrat në 60’ dhe Eden Hazar e bëri rezultatin 3-0 me penallti në 65’. Aleks Iobi shënoi një gol ngushëllimi për “topçinjtë” e trajnerit Unai Emeri, katër minuta më vonë, por “lufta-rrufe” e Çelsit u përfundua sërish nga Hazar në 72’. Kjo ishte Liga e dytë e Europës e fituar nga blutë, pas asaj të vitit 2013 me Rafael Benitezin, ndërsa në 2012 kishin fituar Championsin me një tjetër trajner italian, Roberto Di Mateon.
Sfidanti.al