I vogli mposht viganin, Finlanda fiton të artën në hokejin në akull!

Edhe një vend me fare pak popullsi mund të bëjë gjëra të mëdha. E tregoi Finlanda, kombëtarja e së cilës fitoi titullin botëror në hokej në akull, madje duke mundur një skuadër gjigande si Kanadaja. Nordikët triumfuan me shifrat 3-1 në finalen e luajtur në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë, për gëzimin e jashtëzakonshëm të mijëra tifozëve të saj, por edhe për kënaqësinë e dashamirësve të sportit në të gjithë botën.
Finlanda ka vetëm 5 milionë e gjysmë banorë, por edhe kaq mjaftojnë për të fituar medaljen e artë në një sport të vështirë dhe të vjetër, madje ky ishte titulli i tretë botëror arritur nga të mbiquajturit “luanët”.
Kanadaja, 26 herë kampione e botës, e nisi më mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh me golin e shënuar nga Shi Theodor, por nuk e ndaloi dot humbjen. Nordikët u udhëhoqën nga kapiteni Marko Antila, heroi i ndeshjes ndaj Rusisë kur shënoi golin e vetëm. Antila realizoi dy herë në portën kanadeze, ndërsa rrjeta që vulosi rezultatin u shënua nga Harri Pesonen.
Suksesi i Finlandës u quajt i panjollë, pasi fitoi në mënyrën më të vështirë dhe më bindëse të mundshme. Në çerekfinale eleminoi kampionen e botës në fuqi, Suedinë, në gjysmëfinale një superfuqi si Rusia, 27 herë kampione e rruzullit, dhe së fundmi Kanadanë.
Sfidanti.al