Niko Kovaç si gjeneralët e Romës, ai është “mbreti” i tifozëve

Në kohët e vjetra të Romës, ndërsa republika mori tatëpjetën dhe perandoria krijoi “tabiate të reja”, gjeneralët më të zotë dhe më ambiciozë krijuan një traditë të frikshme, por fituese, ata bënin për vete legjionet e tyre, zotëronin Romën dhe merrnin pushtetin. Tek Bajerni, Jul Qezari i momentit duket se quhet Niko Kovaç, një kroat karizmatik që sikur po hakmerret për dyshimet e mëdha bavareze ndaj tij.

Menjëherë pas fitores 3-0 në finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Lajpcigut, Kovaç mori megafonin në dorë dhe iu drejtua tifozëve. “Pa ju nuk do të kishte qenë e mundur, – ishin fjalët e tij mikluese për dhjetëra mijë njerëz të Bajernit, – ju falenderoj, nuk arrij dot t’ua shpreh sa duhet sesa krenar jam për ju”. Fjalë vërtet magjike, që krijojnë lidhje të çelikta mes një trajneri dhe tribunave, siç ndodhi me Gladiatorin në “Koloseun” e Romës.

Kovaç e di se jo të gjithë tek Bajerni e duan njëlloj dhe e mbështesin plotësisht. Dakord, presidenti Uli Hënes është me të, por jo shefi ekzekutiv Karl-Hajnc Rumenige apo ndoshta edhe drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç. Edhe disa nga lojtarët, sikur nuk po e “honepsnin” dot, veçse fitoret kanë efekt çudibërës. Atmosfera rreth Bajernit është bërë elektrizuese, dhe tifozët mbajnë në gojë emrin e trajnerit, pra nuk është e lehtë ta heqësh, dhe të mos bëhesh jopopullor.

“Ndonjëherë mendoj se do të kishte qenë më mirë që gjërat të kishin shkuar pak më ndryshe, – u shpreh Kovaçi, – nuk është e lehtë të kthesh timonin nga krahu i duhur, në fund të fundit që të gjithë jemi njerëz, dhe duhet të dimë të merremi vesh. Është e vështirë të them sesi ndihem tani. Vjet fitova kupën (me Frankfurtin), dhe u largova nga klubi me lot në sy. Këtë vit nuk pati lot, por sërish fituam”.

Gjithsesi, Niko Kovaç nuk e ka plotësisht të sigurt punën e tij. Rumenige tani e lavdëron, pas fitores së Bundesligës dhe Kupës, por analiza e sezonit nuk mund të jetë totalisht triumfale, pa sukses në Champions.

Sfidanti.al