Bajerni i Kovaçit “hesht” kritikët, Kupa shpëton sezonin

Ishte një vit sportiv tepër i vështirë, por me fund të lumtur. Bajerni, më në fund, mund të ndihet krenar sepse realizoi maksimumin e minimumit që kërkohet prej tij, pra dominimin shtëpiak. Pas titullit kampion, u fitua edhe Kupa e Gjermanisë, madje me një rezultat sipas traditave më të mira bavareze, 3-0 ndaj rivalit Lajpcig në stadiumin “Olimpik” të Berlinit. Dy herë Robert Levandovski dhe një gol shumë i bukur nga Kingli Koman, ishin diferenca mes dy ekipeve, por edhe pritjet e Manuel Nojerit, pasi rezultati mund të kishte qenë tjetër.

Nuk ishte edhe aq e lehtë sa duket nga rezultati, por trajneri Niko Kovaç duket se e ka fituar besimin e skuadrës që drejton, dhe lojtarët luajtën edhe për të, pasi luajtën së pari për veten dhe për tifozët. Kjo ishte hera e 12-të që Bajerni arrin fitore të dyfishtë në Gjermani (Bundesligë+Kupë), ndërsa duket se po lihet prapa kriza e kapërcimit të brezave.  Kjo ishte kupa e 19-të në histori, një rekord i madh, ndërsa ndjekësit janë shumë prapa, me Verderin në vend të dytë me 6 kupa.

Riberi, Roben apo Boateng ishin në stol, ndërsa formacioni kishte lojtarë si Kimih, Zyle, Martinez Aginaga, Tiago Alkantara, Koman apo Gnabri. Ishte edhe ndeshja e fundit e dy “dinosaurëve” bavarezë, Frank Riberisë dhe Arjen Robenit, të cilëve iu dha mundësia për lamtumirën e duhur nga trajneri Kovaç, duke hyrë në fushë në pjesën e dytë. Për momentin, kritikët mund të heshtin, pasi bavarezët dhe trajneri i tyre kapërcyen periudhën e vështirë të vjeshtës, për t’u kolauduar siç duhet, e ndoshta për të qenë gati edhe për Championsin sezonin e ardhshëm. Natyrisht, do të duhen blerje të forta.

Sfidanti.al