Sergio Ramos, e ke seriozisht që dëshiron të largohesh?!

Emri i tij nuk ishte aspak në listën e largimeve të trajnerit Zinedin Zidan. Sergio Ramos është kapiteni i Realit, simboli i skuadrës dhe i klubit, që pas largimit të Iker Kasijasit, dhe tani pas Ronaldos, por duket se ai vetë po mendon ndarjen. Programet televizive, por edhe gazeta “Marka” njoftojnë se mbrojtësi i qendrës paska hedhur dyshime për të ardhmen, dhe madje ikja mund të jetë që këtë verë. Ku? Juventusi (e kërkoka Ronaldo), Junajtid, PSG!

Nëse kjo ndodh, do të ishte përfundimi i një epoke në “Bernabeu”, dhe Zidan me të vërtetë do të duhet të krijojë një Real të ri, pasi Ramosi mbetet pjesë kryesore e boshtit të ekipit. Mediat britanike shkruajnë se Mançester Junajtid po mendon për numrin 4, ndërsa në Francë thonë se atë e dëshiron Paris SG. Dikur, Junajtidi e kërkoi për 35 milionë euro, ndërsa nuk dihet sesa mund të kushtojë sot kartoni i tij.

Mesa kuptohet, kjo situatë është pasojë e eleminimit nga Ajaksi në Champions, kur presidenti Florentino Perez zbriti në dhomën e zhveshjes në “Bernabeu”, duke u përplasur me lojtarët, i tërbuar për humbjen 1-4. Ramosi u përball me numrin 1 të klubit, duke i dalë në mbrojtje skuadrës.

Duket se krisja mes kapitenit dhe presidentit ende ekziston, ndërsa Ramosi mund të krijojë sërish situatën e vitit 2015, kur u kërkua nga Mançester Junajtidi. Veterani 33-vjeçar ka kontratë me Realin deri në 2021, ndodhet në klub që nga viti 2005 dhe ka fituar thuajse gjithçka, duke qenë kapiten i ekipit dhe kapiten i kombëtares së Spanjës.

Sfidanti.al