Leonard: Toronto e përballoi mirë “stuhinë” në Miluoki

Nuk mund të thuhet edhe aq se fitoi skuadra me më shumë përvojë. Toronto kurrë nuk e ka arritur ndonjëherë finalen e NBA-së, madje është pranuar në kampionat shumë vonë, në krahasim me Miluokin në 1995. Skuadra veriore e SHBA-së, ka qenë më parë kampione e ligës më të fortë të basketbollit në botë, në kohën e Xhabarit, dhe Janis Antetokumbo e shokët e tij kanë ku të marrin një frymëzim.

Gjithsesi, distanca nga ajo kohë e lavdishme, mbi 45-vjeçare, ka bërë punën e vet, dhe Toronto sot është vetëm një hap larg finales së parë në jetën e saj. Fitorja105-99 në Arenën e Miluokit ishte heroizëm i klasit të parë, dhe heroi kryesor ishte Koui Leonard. Ai iu përgjigj thirrjes kur ekipi kishte më shumë nevojë për të, duke shënuar 35 pikë, e duke shtuar 7 topa në tabela, 9 asistë, e 2 vjedhje topi. Një paraqitje thuajse e përsosur.

Leonard la San Antonion me emër të madh për të provuar fatin, dhe ndoshta po ia del. Ndeshja e gjashtë luhet në Toronto të dielën në orët e para të mëngjesit, dhe nëse kanadezët fitojnë, kualifikohen për në finalen përballë Golden Stejtit.

“Ne ditëm të përballonim stuhinë në momentet e para, – tha Leonardi, më pas, – ishte një fitore tepër e vështirë”. Miluoki ishte në epërsi prej 14 pikësh, por 15 pikët e shënuara nga Leonardi në pjesën e katërt përmbysën ndeshjen. Antetokumbo nuk mundi të shkëlqente, duke shënuar 24 pikë.

Sfidanti.al