Zapatën, Manxhukiçin apo cilin? Dortmundi, “identikit” për sulmin!

Borusia e Dortmundit është kthyer në “gjahtare” dhe jo në “gjah”, ndërsa “prenë” e fundit e do në sulm. Trajneri Lysien Favre mendon se skuadra e tij ka nevojë për më shumë forcë goditëse në zonën e rreptësisë, për të shënuar edhe më shumë gola se këtë vit. Mediat gjermane, dhe ato në Itali, flasin për dy lojtarë që po diskutohen, pikërisht për Duvan Zapatën e Atalantës, dhe Mario Manxhukiçin e Juventusit.

I pari është një sulmues shumë i mirë, dhe i provuar tek Atalanta me 22 gola këtë edicion të Serisë A, një më shumë se Kristiano Ronaldo. Mësohet se Dortmundi e vëzhgoi në ndeshjen ndaj Juves, dhe e vlerëson si tepër të aftë për të shënuar, të zotin në lojën me kokë dhe për të ndihmuar skuadrën. Gjithsesi, trajneri Favre preferon një lojtar më afër portës, më qendërsulmues. Manxhukiçi, atëherë? Këshilltari i klubit, Matias Zamer, përgënjeshtron. “Manxhukiç është histori që vitin e kaluar, por këtu nuk ka asgjë të vërtetë”, – tha ai.

Gjithsesi, një sulmues duhet, ndërsa fondet janë, edhe pse janë shpenzuar 100 milionë euro deri tani. Klubi ka fituar 110 milionë euro në dy sezonet e fundit, 64 milionë euro vijnë nga transferimi i Pulishiçit, ndërsa pritet të ketë edhe të ardhura të tjera, sepse do të largohen disa lojtarë si Filip, Kagaua, Shyrrle, Toprak, Gerrero dhe Sergio Gomez.

Sfidanti.al