Junajtid dështon me Kulibalin, por do ta provojë me Feliksin!

Një ofertë-rekord botëror për një mbrojtës nuk mjaftoi. Mançester Junajtid u detyrua të pranonte disfatën në përpjekjen titanike për të marrë Kalidu Kulibalin nga Napoli, edhe pse ishin gati të paguanin 110 milionë euro, shumë më tepër sesa Liverpuli shpenzoi për kartonin e Van Dajkut. Gjithsesi, klubi i “Old Trafordit” nuk u step aspak nga dështimi, dhe kaloi në sulm për një tjetër lojtar.

Plot 120 milionë euro është klauzola e tij e transferimit në kontratë për Zhoao Feliksin (në foto), dhe lajmet janë që Junajtidi është gati që ta paguajë. Nuk do të jetë e lehtë të merret talenti i Benfikës, kampion i “freskët” i Portugalisë, pasi ka shumë “admirues” të tjerë për të, përfshi edhe Mançester Sitin, Reali, Atletikon dhe Juventusin. Ndoshta, Feliksi i ri mund të ndjejë që mund të luajë më lehtë tek skuadra e Solskjerit. Sulmuesi 19-vjeçar shënoi 20 gola dhe shërbeu 11 asistë në sezonin e tij të parë për Benfikën, në ekipin e të rriturve.

Sfidanti.al