Gallatasaraji, kampion i Turqisë mes kaosit dhe dhunës!

Stadiumi është një vend demokratik edhe në shtetet me diktaturën më të ashpër. Kjo është shprehja e njohur në të gjithë botën, ndërsa njihet edhe shprehja e Marksit, që “e kaluara rëndon si një makth në mendjen e njerëzimit”. Një makth i tillë ishte ai që u krijua në stadiumin e Gallatasarajit, në sfidën përcaktuese për titullin kampion në Turqi, ndaj Istanbul Bashaksehirit.

Ashpërsia shekullore e shoqërisë, aq më shumë e një shoqërie si ajo turke, plus problemet e sotme ekonomike apo politike, gjetën rast të shfryteshin në mënyrë të tmerrshme, kur mijëra tifozë ulëritën, dhe shumë prej tyre sulmuan me shishe plastike dhe me sende të tjera lojtarët kundërshtarë, në një ndeshje që mezi u arrit të përfundonte.

Gallatasaraji fitoi 2-1 me përmbysje, dhe ia doli të merrte titullin një javë para përfundimit, për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet direkte, por bilanci në stadium ishte i rëndë. Lojtarët u zunë me njëri-tjetrin, ndërsa të dy trajnerët, Fatih Terim dhe Abdullah Avxhi u paralajmëruan nga gjyqtari Xhuneit Çakër.

Istanbul Bashaksehiri kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Rijad Bajiç, por vendasit triumfuan falë golave nga Sofian Feghuli dhe Henri Oniekuru. Ky ishte titulli i 22-të për Gallatasarajin, ndërsa Istanbul Bashaksehiri nuk mundi ta fitonte titullin e parë. Vetëm 5 skuadra e kanë fituar kampionatin në Turqi, që kur ai nisi në 1959, Gallatasaraji (22), Fenerbahçe 19, Beshiktashi 15, Trabzonspori 6 dhe Bursaspori 1.

Sfidanti.al