Lotar Mateus për Kovaçin: Tregoi se mund ta udhëheqë Bajernin

Diskutimet janë të shumta nëse Niko Kovaç do të vazhdojë apo jo në stolin e Bajernit sezonin e ardhshëm. Një njeri që e njeh mirë futbollin, si Lotar Mateus, nuk habitet nga “ngritja e temperaturave”, pasi thotë se kur eleminohesh nga Championsi me një ekip si ai bavarez, gjithnjë ka polemika. Gjithsesi, ish-kapiteni i Gjermanisë dhe i Bajernit, ka besim tek trajneri kroat.

“Kovaç nuk e mori skuadrën në gjendjen më të mirë, – tha Mateusi për “Sport Bildin”, – ekipi nuk ka cilësinë e së kaluarës, plus erdhi pas dështimit në Botëror dhe në finalen e Kupës së Gjermanisë. Për këtë arsye, mendoj se trajneri ka bërë një punë të mirë, në kushte të vështira. Ai tregoi se mund ta udhëheqë Bajernin dhe tani mund të fitojë të dy trofetë në Gjermani”.

Mateus thotë, gjithsesi, se i kupton drejtuesit që nuk kanë dhënë garanci për vazhdimin e kontratës deri në 2021, sipas firmës. “Kjo është normale, por Kovaçi po e përballon presionin, – vazhdoi ai, – nëse do të vinte puna për një zëvendësues, Ten Hag i Ajaksit dhe Rangnik i Lajpcigut do të ishin të vetmit njerëz të mundshëm që flasin gjermanishten, pasi nuk besoj që Tomas Tuheli apo Jurgen Klopi do të pranonin në këtë moment”.

Lotar Mateusi mendon se Bajerni mund ta fitojë titullin, ndërsa ka dy pikë më shumë se Dortmundi, dhe ka ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj Frankfuritt. Dortmundi shkon të luajë në fushën e Mynshengladbahut, me të dyja ndeshjet që nisin të shtunën në orën 15:30.

Sfidanti.al