Ai e ka nga përvoja personale, pasi punoi me një trajner vërtet të frikshëm si Sër Aleks Fergusoni. Njeriu që i ulëriste gjigandit Shmajkel, që godiste me këpucë apo i rruante kokën Dejvid Bekamit, u bë simboli i Mançester Junajtidit të madh që dominoi Anglinë dhe “pushtoi” disa herë Europën. Uejn Runi mendon se klubi anglez duhet të kthehet në “origjinë” për t’u kthyer edhe tek triumfet, dhe kjo duhet bërë nga trajneri i tanishëm, Ole Gunar Solskjer.
“E njoh mirë mentalitetin e lojtarëve, pasi kam luajtur futboll për kaq shumë vjet, – tha Runi, – mendoj se lojtarët duhet të kenë frikë dikë në klub, duhet të kenë frikë trajnerin, pra Solskjerin, por edhe Majkëll Karrikun. Natyrisht, së pari është respekti, por edhe duhet t’u druhen. Unë e di se lojtarët kanë nevojë gjithmonë për dikë që t’i mbrojë, por kështu edhe që t’ia kenë frikën”.
Runi thotë se futbolli sot ka ndryshuar dhe biznesi ka rënëdësi më të madhe se në të kaluarën. “Ka shumë lojtarë që humbasin një ndeshje, dhe pastaj postojnë diçka në rrjetet sociale për modelin e flokëve, për veshjet, për kozmetikën, dhe tifozët zemërohen, – shprehet sulmuesi, – kjo është normale në kohën që po jetojmë, pasi është biznesi që duhet të vazhdojë, dhe biznesi është i rëndësishëm pasi sjell paratë. Por, lojtarët kanë nevojë të mbrohen, edhe në biznes, edhe në fushë”.
Sfidanti.al