Gasperini akuzon VAR-in për humbjen e finales së Kupës

Nuk ka asnjë problem të humbasë me Lacion, dhe asnjë shqetësim të pranojë gabime njerëzore të arbitrave. Trajneri i Atalantës, Xhan Piero Gasperini, gjithsesi, nuk përtyp dot faktin se në epokën e VAR-it ende mund të kalojnë pa u ndëshkuar gabime në gjykimin e ndeshjeve. Tekniku bergamask ishte tepër i revoltuar pas finales së Kupës së Italisë, që ekipi i tij humbi 0-2 ndaj Lacios në “Olimpiko” të Romës, dhe kjo sepse vuri re se skuadrës së tij mund t’i ishte dhënë një penallti.

“Gjyqtari Banti bëri një gabim të pafalshëm, shumë të rëndë, – tha Gasperini, – këtë mund ta pranoja përpara sesa të vendosej VAR-i, por tani jo, nuk mund të tolerohet. Topi preket me dorë nga mbrojtësi i Lacios në zonë, ndërsa po shkonte drejt portës, dhe nuk sinjalizohet asgjë. As nuk kontrollohen pamjet. Kjo është mungesë respekti për tifozët e Atalantës”. Skuadra nga Bergamos, ku janë edhe dy shqiptarët Gjimshiti e Berisha, gjithsesi, është favorite për t’u kualifikuar për në Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa Gasperini kërkohet nga Roma.

Sfidanti.al