Siti, një hap larg titullit, pas supergolit të Kompanisë!

Gola të tillë duket sikur shënohen kur “perëndesha” e fatit e ka ndarë mendjen e saj. Një mënyrë poetike për të thënë se Mançester Siti është vetëm një hap larg titullit kampion në Premier Ligë, falë golit të Vinsent Kompanisë, 20 minuta para fundit të ndeshjes ndaj Leisterit. Skuadra e Pep Guardiolës e meritoi jo edhe aq për fatin, por për atë që dha në fushë, duke rrethuar portën mike në pjesën e dytë, dhe tashmë ajo ka 95 pikë ndaj 94 të Liverpulit.

Goli erdhi nga këmbët e një legjende të “Qytetarëve”, si kapitenit Vinsent Kompani, mbrojtësit të qendrës që shënoi edhe golin që ktheu fatin e ndeshjes për titull në 2012. Shpesh, Kompani nuk ishte i preferuar i Guardiolës për shkak të problemeve fizike, por ai tregoi se mund të bënte sërish gjëra të mëdha për një ekip ku ka luajtur një jetë.

Nuk ishte gjë e vogël të fitoje ndaj Leisterit, skuadra e tretë më e mirë e kampionatit që pas emërimit të Brendon Roxhersit si trajner, duke fituar më pak pikë vetëm se Siti e Liverpuli. Tensioni ishte i madh në “Etihad” pasi goli nuk po shënohej përballë një formacioni të fortë në mbrojtje dhe në aspektin psikologjik. Javën e fundit, të dielën në orën 16:00, Siti shkon në fushën e Brajtonit, ndërsa Liverpuli pret Uolvesin në “Anfild”.

Sfidanti.al