Guardiola nuk e harron Breshën: “Klub dhe qytet i jashtëzakonshëm”

Mesjavën e kaluar u luajtën ndeshjet e raundit të 34-t të Serisë B dhe Bresha kryesuese, duke mundur në fushën e vet 1-0 Askolin, vetëm se konfirmoi kthimin e saj në Serinë A. Më ketë rast, përgëzime këtij klubi italian që do të kthehet në skenën e madhe të futbollit italian mbas tetë vitesh, i erdhën nga shumë njerëz, mes tyre edhe nga trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, që dikur ka luajtur një vit e gjysmë me bluzën e këtij ekipi italian, duke zhvilluar me të 24 ndeshje dhe duke shënuar edhe tre gola.
Guardiola nuk e harroi klubin modest italian, me të cilin ai luajti një kohë të shkurtër mbas Barcelonës, duke i dërguar atij përgëzimet e veta:
“Përgëzime të mëdha për kthimin e merituar në Serinë A! Unë jam shumë i lumtur për të gjithë juve, Bresha, një klub i jashtëzakonshëm, ashtu si edhe qyteti juaj”.
Sfidanti.al