Si një film i Hollivudit, Mesi e Suarez në kostum drejt Anglisë!

Janë dy heronj të epokës së sotme, dhe tepër fotozhenikë, edhe pse nuk mund të quhen të bukur. Lionel Mesi e Luis Suarez pozuan të ulur në avion, në rrugën drejt Liverpulit, ndërsa Barcelona kërkon “biletën” për në finalen e Championsit në Madrid. Të veshur me kostumin zyrtar të klubit, me xhaketën të hequr e të vënë pas shpine, me këmishë, kravatë dhe jelek, ata u shfaqën të përqëndruar, të qetë dhe me një nënkuptim force përpara aparatit fotografik.

Dy yjet, dhe skuadra e tyre, kanë një avantazh 3-0 ndaj Liverpulit pas duelit të parë, dhe ishin pikërisht ata që shënuan golat, Suarez të parin, dhe Mesi dy të tjerët. Argjentinasi dhe uruguajani, dy amerikanojugorë, u shfaqën në foto, si dy aktorë të filmave të Hollivudit, me personazhe kryesore latine, pra brunë, misteriozë dhe të veshur bukur. Të shikojmë nëse do ta përfundojnë siç duhet detyrën në “Anfild”, apo do të kenë ndonjë të papritur.

Sfidanti.al