Superliga është një amalgamë kohore ku trazohet shpesh e kaluara me të tashmen. Këtë javë, kanë ndodhur dy episode që përjetohen rallë në lëmin tonë të larmishëm të futbollit, pa folur për botën. Tirana pasi ka barazuar në Gjirokastër me Luftëtarin, në afersi të Tepelenës, tifozët i kanë zënë pritë autobuzit të ekipit për të bërë një “analizë blic” të ndeshjes, pse nuk fituan dot ndeshjen, ku edhe pse gjirokastritët u kapën në “gjumë”. Episodi tjetër duket më pikant për nga skenografia: futbollisti i Flamurtarit, Batha , është fshehur pas derës, në mjedisin e brendshëm të stadiumit, për të goditur me grusht mbrojtësin kroat të Skënderbeut, Radas. Dy raste dhune, me prita në futboll si në kohën e luftës, të dyja në emër të futbollit, edhe pse njëra në rrugë dhe tjetra brenda në “barkun” e stadiumit.
Duket interesant fakti se Superliga e siguron jetesën me dhunën, madje mburret me nevojën për të, aq sa e tregon në mënyrë flagrante atë që në çdo vend tjetër të botës do të shkaktonte një valë frike për sigurinë e jetës. Radas e zbulon me zë publik: “ Batha po më priste prara derës për të më goditur”, kurse futbollisti i ri Halili i Tirënës, tregon nga ekrani se “ autobuzin e Tiranës e ndalën tifozët rrugës, në afërsi të Tepelenes, për të bërë ca sqarime..” Ishte një keqkuptim – shtoi sulmuesi bardheblu, për ndalesën me pahir të autobuzit, e cila do shitet si një tjeter “mirëkuptim” midis palëve, në një garë ku kodi i sjelljes ka vdekur me kohë.
Në Angli , vite më parë, thonin se dhuna kërkon dhunë. Tek ne, po të thuhet hapur, futbolli nuk mbijeton dot pa dhunë. Ndaj nuk është habi që rasti i golit të Tiranës qënka parë 70 herë në maviolë për ta gjetur nëse ishte apo nuk ishte në penallti, kurse për gjestin e tifozëve bardheblu apo të Bathës ndaj Radasit.. nuk ka nevojë për të bërë maviolë.
Sfidanti.al