Festa e popullit, qyteti i Renës gëzon Kupën fituar ndaj PSG-së!

Një klub 118-vjeçar e meritonte një festë të tillë. Skuadra e Stad Renës (Stade Rennes FC) u prit si heroinë në qytetin e saj nga dhjetëra mijë banorë, pas fitores së jashtëzakonshme në finalen e Kupës së Francës ndaj Paris SG. Ky triumf dhe kjo festë patën një domethënie të madhe për një qytet tepër të veçantë francez, që nuk e quan veten më të paktë as se vetë Parisi.

Tifozët vazhduan traditën historike të krahinës së tyre, dikur Principatë e madhe, që nuk donin të kishin mbi krye Mbretin me seli në Versajë, dhe tani nuk deshën të ishin “nën sundimin”e një klubi miliarder si Paris Sen Zhermen. “Kryengritja” përfundoi me sukses dhe u fitua trofeu i parë i klubit në 48 vjet, arritur pas një përralle të pabesueshme në stadiumin e lavdishëm “Stad dë Frans”, nën shiun e dendur të Parisit.

Plot 30 000 tifozë kishin ndjekur skuadrën e tyre dhe ishin në tribuna, pavarësisht se shanset jepeshin minimale, ndërsa dhjetëra mijë ishin në Sheshin “Sharl dë Gol” pas suksesit. Kjo ishte kupa e tretë e Renës në histori (1965, 1971, 2019). Trajneri i ri Zhylien Stefan (38 vjeç) po drejton skuadrën e një klubi me buxhet 68 milionë euro, ndërsa në finale pati përballë PSG-në me buxhet rreth 500 milionë euro.

Qyteti me jo më shumë se 800 000 banorë, shumë herë më i vogël se Parisi, është krenar për historinë dhe për standardet e tij të larta, e jo më kot cilësohet si “qyteti ku jetohet më mirë në Francë”. Qytetarët do të jenë krenarë edhe për skuadrën e tyre të futbollit.

Sfidanti.al