Partizani mendon të kërkojë pikët në tavolinë për derbin e lënë pa përfundim. Presidenti Gazmend Demi nuk pati asnjë hezitim për ta deklaruar këtë ndërsa doli gjysmë në errësirë, nga stadiumi “Selman Stërmasi”. “Çfarë vazhdimi thoni ju, – u shpreh Demi, – nuk do të ketë ndeshje tjetër. Unë mendoj se nuk mund të luhet përsëri, por duhet të na japin pikët në tavolinë”.
Numri 1 i të kuqve u tregua i ashpër me rivalët kryeqytetas. “Ndërprerja e dritave m’u duk si maskarallëk, – foli ai shumë “pa doreza”, – E patë besoj sesi Partizani i vuri para. Ky është turpi i Tiranës që nuk di të organizojë punët e veta”. Gjithsesi, nuk dihet nëse Partizani do t’i kërkojë zyrtarisht pikët në tavolinë, apo do të mbetet me deklaratat mediatike të presidentit.