Tifozët e Napolit i treguan Çelsit se çfarë trajneri ka në stol!

Lajmet e sotme në futbollin profesionist shpesh kanë të bëjnë me shkarkime trajnerësh dhe zëvendësime të nxituara (nga halli), që përfundojnë po ashtu me “divorc”. Në një botë, ku presioni është rritur bashkë me milionat, tifozët e Napolit treguan rrugën. Të mërzitur me emrin e famshëm që kanë në stol, Karlo Ançeloti, ata shpalosën një parullë në “San Paolo”, gjatë ndeshjes së humbur me Atalantën, ku shkruhej: “Sarri, një prej nesh”.

Ky është vlerësimi më i bukur që i bëhet Mauricio Sarrit, trajnerit të futbollit të bukur, që po kalon periudhë të vështirë tek Çelsi, dhe nuk dihet nëse do të jetë aty sezonin e ardhshëm. Tifozët napolitanë vlerësuan “llogaritarin” që e bëri skuadrën e tyre një rivale të denjë të Juventusit, dhe që nuk lejoi që “Zonja e Vjetër” të shkëputej 20 pikë, siç po ndodh tani.

Natyrisht, nuk ka mundësi që Sarri i Napolit të jetë i ndryshëm nga Sarri i Çelsit, problemi duket se është që presidenti Roman Abramoviç duket se është edhe më i paqendrueshëm sesa Aurelio De Laurentis. E kanë këta në dorë të zgjedhin, nëse do të krijojnë legjendat e reja si Fergusoni dikur, apo do të vazhdojnë me kaosin që shpenzon para dhe sjell pak sukses në krahasim me shpenzimet.

Sfidanti.al