Çfarë “viroze” të ka zënë PSG, tre dështime radhazi!

Eleminimi nga Championsi paska qenë një “flomë” e vërtetë për Paris SG. Kampionia e Francës padyshim që e ka titullin në xhep, në vendin e saj, por dështimet e javëve të fundit ia kanë ulur tërësisht imazhin, si dhe e kanë futur në krizë. Pas një barazimi 2-2 dhe një humbjeje turpëruese, 1-5 në fushën e Lilës, ja ku erdhi edhe dështimi 2-3 në stadiumin e Nantës. Rezultate që vetëm 1 muaj më parë ishin të paimagjinueshme, por që thjesht tregojnë diçka për krizën e brendshme të parizienëve.

Sqarimi më i mirë i asaj që po ndodh nuk është seria e dështimeve në fushë, por përplasja epike mes trajnerit Tomas Tuhel dhe presidentit Al Helaifi, në tunelin e stadiumit të Lilës, ku gjermani kërkoi me forcë që t’i jepej më shumë pushtet, ndryshe do të largohej. Aq i zemëruar ishte trajneri saqë në një moment e kapi nga shalli Al Helaifin, për t’i tërhequr vëmendjen dhe për t’i dhënë më shumë seriozitet kërkesës së tij.

Kuptimplotë dënimi i Kilian Mbapesë, duke e lënë jashtë skuadre për ndeshjen e mesjavës. Sulmuesi francez akuzoi shokët e ekipit si “pa personalitet” pas humbjes në Lilë, diçka që u quajt e patolerueshme nga Tuheli. Nëse deri vjet, “gjeli” që krijonte përçarje tek PSG-ja ishte Nejmari, tani duket se po shtohet edhe Mbapeja. Natyrisht, Parisi do ta fitojë titullin, pasi ka 81 pikë ndaj 64 të Lilës pas 32 javësh kampionat, por ky nuk mund të quhet ndonjë sukses tepër i madh.

Sfidanti.al