Guardiola s’i mjafton Sitit në Champions, kalojnë Totenhem e Liverpul

Drama ishte më e madhe sesa ajo e mbrëmshmja në Torino. Në përfundim të saj, një ëndërr e madhe mbeti e shkatërruar, ajo e Mançester Sitit super ambicioz, super të pasur dhe super të talentuar, për të fituar më në fund Ligën e Kampionëve. Një tjetër ëndërr mbeti gjallë dhe do të vazhdojë të shikohet edhe me sy hapur, ajo që është edhe më e pabesueshme, pra që Totenhemi dëshiron të fitojë Championsin.

Humbja 3-4 në “Etihad” i dha një kualifikim të merituar, por edhe me fat, pas një heroizmi përtej çdo përmase njerëzore, ndaj një ekipi superior dhe tërësisht favorit. Fitorja 1-0 në stadiumin e ri të Londrës doli vendimtare, edhe në mungesë të lojtarit kryesor, Harri Kejn. Nuk dihet nëse heronjtë e trajnerit Maurisio Poçetino do të dinë të jenë po aq të mëdhenj edhe në gjysmëfinalen ndaj Ajaksit magjik.

Sfida e dytë çerekfinale nisi me një çmenduri totale, katër gola të shënuara në vetëm 11 minuta, dhe pesë në 21. Më pas, në gati 80 minuta të tjera (bashkë me shtesat kjo llogari), nuk u shënuan dot më shumë se dy. Rahim Stërling kaloi vendasit në epërsi në 4’, por koreanojugori Son përmbysi rezultatin pas dy gabimeve të mbrojtësit Ajmerik Laporte. Bernardo Silva barazoi në 11’, dhe Rahim Stërling shënoi golin e dytë personal në 21’, për 3-2.

Në pjesën e dytë ndërhyri dy herë VAR-i, duke qenë përcaktues. Fillimisht Kun Aguero realizoi një gol të madh në 59’, që u duk se i dha kualifikimin Sitit, me rezultatin 4-2. Ato minuta kishin qenë një rrethim i vërtetë i portës së Spërsave. Gjithsesi, Totenhemi nuk u dorëzua dhe ndryshe nga herët e tjera, reagoi siç duhet. Fernando Jorente, i hedhur në fushë në pjesën e dytë, realizoi me kokë, por u desh VAR-i për të vënë “vulën”. Vendimi ishte që nuk pati prekje të topit me dorë.

Në 90’+3, sërish Rahim Stërling shënoi dhe mendimi ishte që formacioni i Guardiolës e arriti më në fund gjysmëfinalen. Duhej pritur, pasi VAR-i ndërhyri përsëri, dhe nxorri në pozicion jashtë loje Kun Agueron, pjesëmarrës në aksion. Kjo, për një prekje pa dashje të topit nga Bernardo Silva. Ky ishte kualifikimi i parë në gjysmëfinale të Championsit nga Totenhemi, dhe i dyti nëse merret në konsideratë Kupa e Kampionëve, arritur në 1962.

Në gjysmëfinalen tjetër, Barcelona do të ndeshet me Liverpulin. Skuadra e Jurgen Klopit vuajti shumë në pjesën e parë ndaj Portos, që luajti 45 minuta të mëdha, por duke mos pasur precizion dhe fat. Sadio Mane i dha epërsinë anglezëve në 26’, pas topit të marrë nga Salah. Vetë Salah shënoi të dytin në 65’, por Militao shkurtoi në 69’. Gjithsesi, Klop hodhi në fushë Roberto Firminon për Origin, që e rriti epërsinë në 3-1 në 77’, ndërsa mbrojtësi i qendrës Van Dajk realizoi rrjetën e fundit në 84’. Fitore 4-1 dhe një gjysmëfinale e madhe ndaj katalanasve.

Gjysmëfinalet do të jenë Totenhem-Ajaks dhe Barcelona-Liverpul në 30 prill-1 maj dhe 7-8 maj.

Sfidanti.al