Tifozët e Liverpulit shpresojnë që Mane të thotë të vërtetën

Kur në ekranin e celularit tënd shfaqet emri i Realit të Madridit, është tepër e vështirë që të mos përgjigjesh, dhe që të thuash “JO”. Drejt një prove të tillë po shkon Sadio Mane, sulmuesi afrikan që për momentin vesh një fanelë të famshme si ajo e Liverpulit, por që mund të tundohet për një fanele që mund të quhet edhe më e madhe.

Është publik interesimi i Zinedin Zidanit për senegalezin, dhe po ashtu është publike shifra që besohet se kërkon Liverpuli, 130 milionë paund stërlina, që do të thotë rreth 150 milionë euro. Çfarë do të bëjë 27-vjeçari që, ndoshta, ka mundësinë e fundit për të zgjedhur një lëvizje të madhe në karrierë? Fjalët e tij janë “bar shërues” për tifozët liverpulas.

“Synimi im është që të jem një legjendë, jo vetëm për Liverpulin, por edhe për Premier Ligën, – u shpreh Mane, pasi mbushi 100 ndeshje për “redsat”, – për mua është gjë e madhe që kam luajtur 100 ndeshje, dhe dua që të luaj edhe shumë më tepër”. Është e qartë që tek Liverpuli, me trajnerin Jurgen Klop dhe me shokë skuadre si Alison, Van Dajk, Firmino e Salah, i ka të gjitha mundësitë që të bëhet legjendë. Tifozët shpresojnë që fjalët e Manesë të dalin nga thellësia e zemrës.

Sfidanti.al