Dominimi rifilloi në vitin 2003 dhe duket se nuk do të përfundojë lehtë. Janë skuadrat ruse që fitojnë Euroligën e femrave, siç bëri UMMC Jekaterinburgu në finalen ndaj Dinamos së Kurskut, po të Rusisë. Finalja u luajt në Sopron të Hungarisë dhe u fitua nga skuadra e Uraleve, 91-67, pra thuajse nuk pati histori.
Jekaterinburgu e fitoi për herë të pestë Euroligën, ndërsa në 16 vitet e fundit, 11 herë triumfues kanë qenë ekipet ruse, pasi ia kanë dalë edhe Spartaku i Moskës apo Dinamo e Kurskut. Jekaterinburgu ka mjaft lojtare amerikane dhe të huaja në përgjithësi si Kërtni Vanderslot, Britni Grajner, Alba Torrens, Kajla Mekbrajd, Ema Meseman apo sllovenia Nika Bariç. Gjithsesi, në përbërje është edhe lojtarja shumë e mirë ruse, Marija Vadejeva.
Skuadra financohet nga kompania metalurgjike UMMC, prodhuesja e dytë më e madhe e bakrit në Rusi. Jekaterinburgu është 12 herë kampione e Rusisë si dhe ka fituar 5 kupa ruse.
Sfidanti.al