Ikardi dorëzon penalltinë, Uanda sulmon nga studio TV

Mediat italiane e cilësuan si një tjetër shenjë e perëndimit të “mbretërimit” të tij. Mauro Ikardi deshi të gjuajë penalltinë për Interin në fushën e Frozinones, por pastaj Perishiç iu afrua, i tha diçka në vesh, dhe ia mori topin. Goditja ishte e saktë, gol, dhe të dy lojtarët u përqafuan më pas, edhe pse kanë qenë rivalë gati për sherr këtë sezon.

Çfarë fjalësh ishin ato të Perishiçit për Ikardin? “La Gazeta delo Sport” thekson se kroati mund t’i ketë kujtuar ish-kapitenit se tashmë ka një hierarki të re në skuadër, dhe se ai nuk është zgjedhja e parë për të gjuajtur penalltitë (ndonëse ka qenë thuajse i pagabueshëm).

Uanda Nara ka një mendim tjetër, të cilin e tha në emisionin ku merr pjesë, “Tiki Taka”. “Është e qartë se Ivani i ka kërkuar që ta gjuajë ai penalltinë, dhe Mauro ka qenë dakord, kjo është një gjë shumë e bukur, për aq sa u pa”. Gjithsesi, gruaja dhe agjentja e Ikardit, nuk ngurron të sulmojë sërish Interin duke thënë se “i hoqën shiritin e kapitenit, i hoqën penalltitë, por nuk mund t’i heqin kënaqësinë e të luajturit për Interin”. Në të vërtetë, këtë kënaqësi, vetë Ikardi nuk e deshi për rreth një muaj.

Sfidanti.al