Kur Flamurtari i shënoi Partizanit me anë të Ribaj, plasi zemërata nga tifozët e Partizanit sa dikush kapërceu edhe gardhin për të ndalur festimin me krekosjen e njohur..vlonjate! Kur Flamurtari i shënoi javën e kaluar Teutës , tamam golin e dytë , ishte trajneri Shkëmbi që gjestikuloi zhgënjimin e tij, ndërkohë që futbollistët e Flamurtarit kishin bërë një skemë të re për festimin e golit, duke fërkuar gishtat për të nënkuptuar paratë ! Dikush thotë se paratë i kanë hipur “avionit” dhe po vijnë, dikush tjetër aludon se në Vlorë ..futbolli luhet edhe pa para! Një slogan tejet ironik për një qytet që ka shpuar xhepin e parave tërë këto vite, në emër të një futbolli që është më shumë iluzion sesa realitet…
Erdhën apo po vijnë paratë? Në Vlorë luten që futbollistët të vazhdojnë të vrasin mëndjen për të ndryshuar regjinë e golave çdo javë, pasi ajo e flamosura, puna e parave, është histori e vjetër, një lojë që nuk i dihet fundi. Ndaj Kotobelli me shokë , kur kanë pozuar te qeshur me fërkimin e ëmbël të gishtave, më shumë se trajnerin Shkëmbi, kanë dashur të pickojnë njeriun e tyre të “thesarit të premtuar ” , Sinan Idrizin.
Sfidanti.al