Kishte ndodhur për herë të fundit në 1974, kur ylli kryesor i skuadrës quhej Karim Abdul Xhabar, ish-Lju Alsindor. Ngjau më në fund pas 45 vjetësh që Miluoki Baks ta mbyllë sezonin e rregullt në NBA në vend të parë, dhe merita kryesore i shkon padyshim Janis Antetokunmpos, ish-emigrantit afrikan me nënshtetësi greke, dhe që luan në ligën më të fortë të basketbollit në botë.
Vendi i parë u arrit me qartësi matematike falë fitores 128-122 ndaj Filadelfias, dhe Antetokunmpo fitoi duelin personal me yllin kundërshtar, Xhoel Embijd. Janisi shënoi 45 pikë, kapi 13 topa në tabela, shërbeu 6 asist dhe bllokoi 5 gjuajtje. Embijd gjithashtu shkëlqeu me 34 pikë, 13 topa në tabela e 13 asistë, pra me një tripëll dabëll.
Miluoki ka 59 fitore e 20 humbje, duke lënë pas Toronton në renditjen e Konferencës Lindore, e duke pasur rezultate më të mira se Golden Stejti e Denveri të Perëndimit. Trajner Majk Badenholzer arriti të krijojë një skuadër të fortë që, përveç Antetokunmpos, ka edhe Kris Midëlltonin apo Erik Bledsoun. Gjithsesi, në plej of do të jetë e vështirë, pasi Toronto, Bostoni apo Detroiti kanë më shumë përvojë.
Sfidanti.al