Racizmi ndaj Kin; të gjithë ‘i vërsulen’ Leonardo Bonucit

Prej 2 ditësh në Itali kanë shpërthyer polemikat për koret raciste që u dëgjuan gjatë ndeshjes mes Kaljarit dhe Juventusit në drejtim të Moize Kin, i cili pas shënimit të golit të dytë mori një pozicion sfiduesi në drejtim të tifozerisë sarde, dicka që zemëroi të gjithë të pranishmit në shkallët e stadiumit. Për këtë gjest, i riu u kritikua edhe nga Leonardo Bonuci që tha se 50% të fajit e kanë tifozët dhe 50% vetë Kin, pasi ai duhet vetëm të festojë për golin e shënuar e asgjë më tepër. Kritikat pas kësaj deklarate në drejtim të qendërmbrojtësit të Juventusit ishin të shumta, duke detyruar Bonucin që të dalë me një postim në rrjetet sociale ku theksonte se ishte kundër racizmit në mënyrë absolute.

Por dëmi ishte bërë tashmë, pasi kritikat në drejtim të Bonucit nuk vinin vetëm nga tifozët, por edhe nga bota e futbollit mes të cilëve ishin Patris Evra, Rahim Sterling apo Mario Baloteli, madje ky i fundit ishte më i ashpri në ato që deklaronte kundër Bonucit. I fundit që u shtua në listën e atyre që kritikuan Bonucin ishte një njohje e vjetër e Juventusit, Lilian Turam i cili deklaroi se fjalët e Leonardo Bonucit ishin të turpshme dhe se nuk bëjnë gjë tjetër vecse e ushqejnë akoma më shumë racizmin.

sfidanti.al