Levandovski me lutje në prag të Dortmundit: Të na kthehet fati!

Të shtunën do të luhet finalja e kampionatit gjerman, “El Klasiko” e Bundesligës, mes Bajernit e Dortmundit, dhe njëri nga protagonistët ka nisur të lutet. Nuk shkoi në kishë Robert Levandovski, por “u fal” tek gazetat. Tabloidi “Bild” e ftoi sulmuesin polak që të ndreqë shënjestrën pas gabimeve të shumta që bëri ndaj Frajburgut, dhe që i kushtuan bavarezëve dy pikë. Dortmundi fitoi dhe u shkëput 2 pikë në krye.

“Dortmundi shënoi dy gola në fund, dhe fituan, ata ishte me fat, – ishin fjalët e “Levës”, – unë jam i sigurt, se të shtunën fati do të ndryshojë dhe do të jetë me ne. Kjo, sepse ne luajmë në shtëpi, dhe nëse krijojmë kaq shumë raste, do të thotë se golat do të vijnë”.

“Bildi” ia rreshton rastet e humbura: Minuta e 12-të, minuta e 50-të, minuta e 77-të, minuta e 91-të (një rast 100 për qind për gol), minuta e 93-të! Vërtet shumë! Pyetja e gazetës ishte: Levandovski nuk është më ai i pari, apo thjesht nuk pati fat? Kjo do të shihet kur të dalë në fushë kundër ish-ekipit të tij, Dortmundit, këtë të shtunë.

Sfidanti.al