‘Diktatori’ Markez; dominon garën e Argjentinës në MotoGP

Mark Markez nuk kishte rivalë në Cmimin e Madh të Argjentinës, ndalesa e dytë e Botërorit të MotoGP. Piloti spanjoll i Hondës ishte perfekt në pistën Termas de Rio Hondo ku fitoi bindshëm garën e kësaj fundjave. Kampioni i botës në fuqi i MotoGP e vendosi diktatin e tij që në fillimin e këtij Cmimi të Madh duke mos u dhënë mundësi rivalëve të tij që t’i kundërpërgjigjeshin.

Nëse ‘marsiani’ Markez garonte vetëm me veten e tij në pistën argjentinase, pas tij ‘njerëzorët’ po dhuronin spektakël dhe protagonistë u bënë Valentino Rossi dhe Andrea Doviciozo, me pilotin e Jamahës që arriti të parakalojë atë të Dukatit në xhiron e fundit për të mbyllur garën në vendin e dytë me italianin që në fund shtrëngoi edhe duart me Markez duke lënë të kuptohet se ndoshta mes tyre po kthehet paqja.

Doviciozo u detyrua të kënaqej me vendin e tretë, që gjithsesi mund të quhet një rezultat i mirë për të. Pas garës së Argjentinës, Botërori i MotoGP ka një lider të ri në klasifikimin për pilotë, Mark Markez me 45 pikë, 4 më shumë se Doviciozo, ndërsa i treti është Rosi me Jamahën e tij.

sfidanti.al