Ndodh shpesh në Itali që rezultatet të shkojnë në të kundërt, kur vjen puna për të krahasuar Juventusin me skuadrat milaneze. Pa dashur t’i hyjmë historisë se “qysh e tek, e përse”, thjesht po flasim për rezultatet e sotme, 1-0, që ishin identike, por krejtësisht në kah të kundërt për Juven dhe Milanin. Kampionët e Italisë fituan një ndeshje, për të cilën as nuk kishin nevojë, dhe në të cilën nuk kishin Kristiano Ronaldon.
Krejt ndryshe, Milani aq shumë i vlerësuar i trajnerit Xhenaro Gatuzo nuk doli dot nga goditja tronditëse e humbjes në derbi, duke u mundur edhe në fushën e Sampdorias. Për më keq, goli i gjenovezëve u realizua që në minutën e parë dhe milanistët kishin mundësi plot 90 minuta, plus edhe shtesat të paktën për të barazuar, pse jo për të fituar. Gjithsesi, Milani i sotëm nuk është as Juvja, dhe as Milani i Barezit, Maldinit e holandezëve, apo Milani i Pirlos, Zedorfit e Shevçenkos.
Kjo bën që as “snajperi” Piontek të mos mund të ndihmojë, ndërsa tek torinezët bën “garipin” edhe një “buzëqumësht” si Moize Kin, autori i golit të vetëm të ndeshjes ndaj Empolit. Juventusi kryeson Serinë A me 78 pikë ndaj 60 të Napolit (që ka një ndeshje më pak), ndërsa Milani ka 51 dhe rrezikon seriozisht vendin në Champions.
Sfidanti.al