Ronaldo si Mesi, alarm për Championsin e dy yjeve!

“Do të kthehem pas 15 ditëve”. Kjo ishte shprehja që doli nga goja e Kristiano Ronaldos pas dëmtimit të pësuar në kombëtare, në ndeshjen ndaj Serbisë. Ylli i Juventusit doli nga loja që në minutën e 28-të të ndeshjes eleminatore të Europianit, pikërisht ndërsa po luante shumë mirë, dhe i ishte afruar golit të barazimit.

“Nuk jam i shqetësuar sepse e njoh trupin tim, kthehem pas nja dy javëve”, – ishin fjalët e CR7-ës në intervistat pas ndeshjes, që përfundoi 1-1 në “Estadio da Luz” të Lisbonës. Në Itali u ngrit menjëherë alarmi për Championsin, pasi në 10 prill, Juventusi luan në fushën e Ajaksit për çerekfinalet. Nëse do të besojmë Ronaldon, ai do të jetë gati, por pritet përgjigja e vizitës mjekësore.

Ronaldo pësoi dëmtim në të njëjtën mënyrë si Mesi, i cili u zëvendësua në ndeshjen që Argjentina e humbi me Venezuelën, dhe nuk shkoi në Marok. Duket se dy yjet janë si “vëllezërit siamezë”, edhe kur fitojnë, edhe kur dëmtohen.

Sfidanti.al