Eden Hazard vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së Realit të Madridit. Sipas tabloidit britanik ‘The Sun’, klubi merenges dërgoi në zyrat e Celsit një ofertë prej 82 milionë Eurosh për 28 vjecarin, por nga ajo që publikohet në median belge dhe më konkretisht te HLN, klubi londinez e ka refuzuar këtë ofertë.
Ndërkaq, e përditshmja spanjolle AS këtë të hënë bëri të ditur se Hazard e kishte marrë vendimin për të kaluar te Reali i Madridit, pa ardhur ende Zidan në stol, ndërsa përfaqësuesit e tij besojnë se vlera e kartonit të futbollistit arrin deri në 100-120 milionë Euro, një shifër kjo që është larg asaj të ofruar nga Reali i Madridit në tentativën e tij të parë.
Kontrata e Hazard me Celsin skadon në qershor të vitit 2020, kështu që për Celsin ky vit është shansi i fundit që të përfitojë të ardhura të konsiderueshme nga shitja e kartonit të tij. Nëse Blutë e Londrës do të vendosin të mos e shesin tani lojtarin, atëherë Reali i Madridit do të tentojë të nisë tratativat me të që nga janari i 2020 për ta marrë futbollistin me parametra zero në qershor të vitit të ardhshëm.
sfidanti.al