Dikur për mbretërit thuhej se mund të laheshin në shampanjë apo në qumësht, se mund t’i lejonin vetes luks të shfrenuar dhe delikatesa që një mendje normale nuk mund t’i imagjinonte. E gjitha kjo, kur “subjektet” e tyre punojnë me kurriz të ulur nëpër ara apo punishte. Kaluan dekadat dhe shekujt dhe “subjektet” nuk e mbajtën më kurrizin të ulur, ndërsa mendjet jo normale nisën të mos pranoheshin e të mos pëlqeheshin.
Prej nja 30 apo 40 vjetësh, rolin e mbretërve të mëparshëm kanë nisur ta luajnë me dëshirë të ashtuquajturit yje të sportit, ndërsa për ta populli zakonisht është shprehur se “ruaju nga zengjini i ri”. I tillë është edhe Flojd Mejuedhër, boksieri i shkëlqyer, por njeriu vanitoz si pak të tjerë, i cili nuk pati gjë më të mirë për të postuar në rrjetet sociale, sesa një fotografi të çekut prej 100 milionë dollarësh, të fituar nga suksesi në sfidën e vitit të kaluar ndaj Manu Pakiaos. Mediat me prirje tabloide nxituan që të vendosnin diçiturën në foto: Mejuedhër i tregon tifozëve pasurinë e tij.
Dikush ndoshta mund t’i pyeste tabloidët: Kujt tifozëve apo njerëzve i hyn në punë sesa është pasuria e Flojd Mejuedhërit Junior? Ndoshta, mund të ketë edhe të tillë të çoroditur, ndërsa çoroditja kuptohet të paktën kur dëgjon këngët e Bitëllsave, por jo nga fotografia e çekut të boksierit të pensionuar.